Qiratë e banesave rekord në 2025, në Tiranë të papërballueshme, mbi 250 euro periferia
Qiratë e banesave në Shqipëri shënuan rritje rekord gjatë vitit 2025, me Tiranën që rezulton gjithnjë e më e papërballueshme për familjet, të rinjtë dhe studentët.
Jo vetëm çmimet e shitjes së apartamenteve, por edhe qiratë po shtrenjtohen me ritme të shpejta në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në muajin dhjetor 2025 çmimet e qirave u rritën me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Viti 2025 shënoi rekord historik për çmimin e qirave të apartamenteve. Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme vlerësojnë se shtrenjtimi është rezultat i një efekti zinxhir, ku rritja e fortë e çmimeve të shitjes së banesave reflektohet drejtpërdrejt edhe në tregun e qiradhënies.
Efekti i çmimeve të shitjes dhe investimeve
Sipas konsulentit imobiliar Orgest Beti, apartamentet që blihen me çmime të larta jepen automatikisht me qira më të shtrenjtë. Ai thekson se pas vitit 2021 pati një volum shumë të madh ndërtimesh, të cilat tashmë kanë përfunduar dhe janë futur në treg, duke ulur disi presionin e kërkesës, por pa ndalur rritjen e çmimeve.
Turizmi dhe platformat online rrisin presionin
Një tjetër faktor i rëndësishëm që po ushtron presion mbi tregun e qirave është turizmi dhe rritja e përdorimit të apartamenteve për qira afatshkurtra nëpërmjet platformave si Booking dhe Airbnb. Sipas Betit, shumë apartamente që mund të ishin në treg për qira afatgjatë apo për shitje, janë orientuar drejt këtyre platformave, duke e bërë edhe më të vështirë gjetjen e një banese për studentët, çiftet apo familjet e reja.
Nuk pritet ulje e çmimeve
Ekspertët nuk presin rënie të çmimeve të qirave as në të ardhmen. Sipas tyre, rritja e standardeve të ndërtimit, mobilimi cilësor, arredimi luksoz dhe cilësia më e lartë e pallateve të reja po e mbajnë tregun në nivele të larta çmimesh.
Periferia mbi 250 euro, qendra edhe më shtrenjtë
Në zonat periferike të Tiranës, qiratë për një apartament 1+1 nisin nga mbi 250 euro në muaj, në zona si Fresku, Paskuqani apo përgjatë autostradës Tiranë–Durrës. Për apartamente me sipërfaqe më të mëdha, çmimet rriten ndjeshëm, ndërsa sa më afër qendrës së kryeqytetit, aq më të larta bëhen qiratë.
Ndikim në inflacion
Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, rritja e çmimeve të qirave ishte një nga faktorët kryesorë që kontribuoi në rritjen e inflacionit. Sipas INSTAT, mesatarisht qiratë u shtrenjtuan me 4.5% gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin 2024.
Në të njëjtën kohë, çmimet e apartamenteve për shitje u rritën me ritme edhe më të shpejta, duke regjistruar një rritje prej gati 41% vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të papërballueshëm për një pjesë të madhe të popullsisë.